I dehur në timon? I dënuari, mesazhe sensibilizuese për shoferët

14/08/2017 00:00

Pandeli Kupe është njëri prej personave të dënuar nga gjykata me shërbim prove, pasi është arrestuar duke drejtuar automjetin nën efektin e pijeve alkoolike. I dënuar për këtë shkelje me 18 muaj shërbim prove, Kupe e ndau eksperiencën e tij me qytetarët, duke iu përcjellë një mesazh sensibilizues.

“Shërbimi i Provës më ka bërë shumë efekt dhe më ka dhënë shumë mësime. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos drejtojnë automjetet nën efektin e pijeve alkoolike”, thotë Pandeli Kupe, i dënuar.

Në ditët kur qyteti i Korçës ka qenë nën atmosferën e festës së birrës, Drejtoria e Shërbimit të Provës organizoi një aktivitet me të dënuarit për të ndërgjegjësuar qytetarët që të shmangin drejtimin automjetit nën efektin e alkoolit.

“Zyra vendore e Shërbimit të Provës në Korçë, bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme, menduan të bëjnë këtë aktivitet me pjesëmarrjen e rreth 35 të dënuarve. Ne e kemi trumpetuar këtë mesazh, për të mos e tepruar dhe për të mos konsumuar asnjëherë alkool, nëse do të na duhet të drejtojmë automjetet tona”, tha Petro Zharkalli, drejtor i Shërbimit të Provës në Korçë.

Aktualisht në Qarkun e Korçës, 220 persona janë nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës, 23 prej të cilëve e kanë marrë këtë dënim për drejtim të parregullt të automjetit, si pasojë e konsumit të pijeve alkoolike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA