Ambasada çeke i bashkohet nismës së Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e këndit të 21 të lojërave

13/08/2017 00:00

Ndërtimi i këndeve të lojrave dhe hapësirave çlodhëse në Tiranë është vlerësuar edhe nga përfaqësitë diplomatike në vendin tonë, një prej të cilave ka dhuruar module lojëra për këndin te sheshi “Bajram Curri”.

“Më vjen mirë që ambasada e parë që i bashkohet projektit tonë për këndet e lodrave është Ambasada Çeke. Ky është këndi ynë i 21 në dy vjet, por do të vazhdojmë edhe për dy vitet e tjera që na kanë mbetur, që të mos mendojmë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por edhe për gjeneratën e ardhshme. Fëmijët që rriten me një fëmijëri që ia vlen të mbahet mend, me aktivitet fizik, me jetë të shëndetshme, sigurisht bëhen qytetarë shumë herë më të kulturuar dhe shumë herë më të civilizuar nesër për Tiranën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj shprehu dëshirën që ky gjest të ndiqet edhe nga përfaqësi të tjera. Ndërsa ambasadori i Republikës Çeke e vlerësoi bashkëpunimin si mundësi për brezat e rinj. Jaroslav Ludva deklaroi: “Kjo ditë është një ditë e bukur për të dy palët, bashkinë, qytetin dhe Ambasadën Çeke. Ne identifikuam këtë bashkëpunim shumë të mirë me bashkinë, që konsiston në këtë shesh lojërash që nxjerr në pah të ardhmen e brezave dhe të ardhmen e qytetit të Tiranës. Jemi shumë të lumtur që po bashkëpunojmë në këtë projekt. Të shpresojmë që edhe ambasada të tjera të na bashkohen në këto projekte”.

Edhe kryebashkiaku Veliaj thotë se këto investime u shërbejnë jo vetëm fëmijëve, por edhe gjeneratës së ardhshme: “Në shumë prej projekteve tona, investimi është cilësor, por dilema është a do të mirëmbahet, a do ta mbajmë pastër, a do sillemi mirë, a do të vandalizohet? Unë besoj se sot nuk investojmë vetëm në infrastrukturë, por edhe në kulturë dhe paja e qytetit tonë është një brez i ri i cili po rritet më i kulturuar, më i pastër dhe më i ndërgjegjshëm se si duhet të menaxhojmë hapësirën tonë të përbashkët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA