Zjarri në Vorë, arrestohet i dyshuari 16-vjeçar

11/08/2017 00:00

Zjarri i rrezikshëm në zonën e Vorës, që rrezikoi që prej mbrëmjes së të enjtes një fabrikë fishekzjarres, tashmë e ka një autor të dyshuar, siç njoftojnë nga Policia e Tiranës.

Ai është një shtetas 16-vjeçar nga fshati Gjokaj, i proceduar edhe më parë për veprën penale të “prerjes së paligjshme të pyjeve”, teksa përballet tashmë me akuzën e “shkatërrimit nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.

Policia ka mundur të dokumentojë me prova ligjore autorin e ngjarjes, i cili dyshohet se ditën e mërkurë rreth orës 19, ka shkaktuar rënien e zjarrit në kodrat e fshatit Kuç pas një bishti cigareje të hedhur në tokë, e për pasojë janë djegur mbi 5 hektarë bimësi, shkurre e ullinj.

Ndërkohë, prej dy ditësh tashmë vijojnë përpjekjet e forcave zjarrfikëse, emergjencave civile dhe ushtrisë për fikjen e zjarrit.

Top Channel