
Vazhdon të jetë problematike situata me zjarret në jug të vendit. Në zonën e Dropullit, në Gjirokastër, zjarret i janë afruar edhe fshtrave ku në Grapsh është djegur një shtëpi, ndërkohë që disa të tjerave zjarri i ka përfshirë edhe oborret.
Flakët që kanë përfshirë zonat e Goricës, Frashtanit, Lugarit, Grapshit dhe Zervatit kanë shkaktuar dëme të mëdha në toka bujqësore, kullota dhe pemë. Gjithashtu, në rrezik janë edhe objektet e kultit.
Në përballjen me vatrat e zjarrit, përveç specialistëve të Emergjencave Civile dhe efektivëve të Forcave të Armatosura janë angazhuar edhe dhjetëra banorë të zonave respektive.
Ndërhyrja nuk ka munguar as nga ajri në ndihmë të së cilës, mëngjesin e së premtes me vendim të qeverisë greke janë nisur nga Selaniku dy avionë “Canadair”.
Në një deklaratë për agjencinë shtetërore të lajmeve në Greqi, zëvendës ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Toskas tha se në këtë mënyrë Athina zyrtare po i përgjigjet kërkesës për ndihmë nga fshatrat e minoritetit grek.
“Këtë e kemi bërë gjithnjë kur na është kërkuar ndihmë. Kjo, edhe pasi zjarri është në afërsi të kufirit me Greqinë dhe në fshatrat e minoritetit grek, që gjithnjë i mbështesim. Ndaj po çojmë mjetet më të mira që kemi për të ofruar ndihmë, për të mos rrezikuar njerëzit dhe pasuritë e tyre”, ka thënë Toskas.
Top Channel