
Një vatër zjarri u shfaq mbrëmjen e së enjtes në malin e Vajkalit, ne Bulqizë, ku si pasojë u dogj një banesë dykatëshe dhe një kasolle, ndërsa u rrezikuan disa shtëpi të tjera.
Për fat të mirë, nga zjarri nuk ka patur viktima, pasi banorët e shtëpisë së djegur nuk ndodheshin në banesë, por ishin larguar për pushime.
Kanë qenë banorët e zonës, që të ndihmuar nga zjarrfikësit kanë bërë të mundur izolimin e vatrës, në mënyrë që të mos përhapej tek shtëpitë e tjera.
Megjithatë, situata e krijuar nga zjarret në Bulqizë mbetet problematike. Aktualisht në këtë zonë janë aktive 3 vatra të mëdha, përkatësisht në malin e Temles, në Fushën e Lopës dhe malin e Bardhë.
Këto vatra janë shfaqur prej 10 ditësh dhe deri më tani nuk ka patur asnjë ndërhyrje, qoftë nga institucionet, ashtu dhe nga banorët e zonës. Deri tani janë përshkuar nga flakët qindra hektarë pyje me shkurre dhe dru lisi e ahu.
Nëse nuk do të ketë një ndërhyrje nga autoritetet flakët në malin e Temles, të cilat po i afrohen fshatit të Peladhisë, do të përbëjnë një rrezik serioz për banesat.
Top Channel