Lufta Kore-SHBA, analistët: Do ishte katastrofike

10/08/2017 00:00

Rreziku i një konflikti ushtarak mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut po bëhet gjithnjë e më konkret.

Analistë të cituar nga “Zëri i Amerikës” mendojnë se qoftë edhe një goditje e kufizuar amerikane kundër Penianit do të provokonte sulme vdekjeprurëse, që do të mund të përshkallëzoheshin shpejt në një luftë të gjerë bërthamore. E para që do të goditej nga një sulm me artileri e ndoshta edhe armë kimike, sipas tyre, do të ishte Koreja e Jugut. Më pas, konlikti do të përshkallëzohej duke tërhequr në luftime mbi 28 mijë trupat amerikane të stacionuara në jug.

Në skenarin më të mirë, një goditje e kufizuar e Shteteve të Bashkuara ndaj një baze raketash ose ndaj një objekti bërthamor nuk do të dëmtonte seriozisht aftësitë e Koresë së Veriut, por mund të bindte udhëheqësin e vendit, Kim Jong Un, të kërkojë dialog në vend që të rrezikojë hyrjen në një luftë që ai nuk do të mund ta fitonte.

“Nëse ruan durimin dhe përpiqet të dalë nga kjo situatë përmes bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, duke përdorur Kinën dhe Rusinë, ai do të mund të mbijetonte”, thotë analisti koreanojugor Shin In-Kyun.

Megjithatë, justifikimi për veprime ushtarake për të eliminuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut nuk ka një bazë të fortë, pasi nuk mund të ketë siguri se udhëheqja agresive në Penian do të vepronte me përmbajtje. Analisti Brushe Klingner mendon se ka një mungesë lidhshmërie mes argumentit se Kim Jong Un është i çmendur e mund të urdhërojë një sulm dhe atij se do të ishte mjaft i arsyeshëm dhe nuk do t’i përgjigjej një sulmi të Shteteve të Bashkuara. Klingner pohon se për të garantuar eliminimin e të gjitha aftësive bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut duhet t’i jepet fund regjimit të këtij vendi.

Top Channel