
Pas rreth 48 orësh, zjarri në Gjinar të Elbasanit është vënë nën kontroll, aty ku u angazhuan punonjës të zjarrfikëses, ushtria, administrata e zonave të mbrojtura, punonjës të bashkisë dhe qytetarë.
Dhjetëra hektarë pyje me pisha u dogjën, ndërsa fillimisht u rrezikuan edhe banesat.
Të gjitha forcat tokësore u përqëndruan në shpëtimin e shtëpive dhe jetëve të njerëzve, në një tërritor të vështirë dhe me kushte atmosferike aspak të favorshme. Ishte ndërhyrja nga ajri, ajo që ndikoi në uljen e intensitetit të flakëve në faqen e malit, ndërkohë që ndërhyrja nga toka e së enjtes me mjete rrethanore bëri që zjarri të izolohet.
Ekipet vazhdojnë të tregohen të kujdesshme, duke qëndruar në vend për të monitoruar situatën, pasi ekziston gjithmonë mundësia e riaktivizimit të vatrave, kjo edhe për shkak të temperaturave të larta dhe erës.
Zona, e cila u përfshi nga flakët, është një zonë në të cilën vitet e fundit është investuar shumë përsa i përket turizmit, është një nga zonat më të pasura me shtëpi pritëse dhe hotele, për shkak edhe të pyllit të dendur me pisha që kishte rrotull.
Dyshimet e para vazhdojnë të jenë për zjarrvënie të qëllimshme, pikërisht rreth pistës së konkurrencës.
Ndërkohë, gjatë ditës së enjte kanë qenë aktive edhe 10 vatra të tjera zjarri në të gjithë vendin, si në malin e Krrabës, atë të Derjes, fshatin Cikallesh, fshatin Pezë dhe fshatin Kuç të Qarkut të Tiranës.
Zjarre ka pasur edhe në qarqet e Beratit, Dibrës, Shkodrës, Fierit dhe Gjirokastrës, ku zjarri në Qafë Muzinë ka kaluar në afërsi të Syrit të Kaltër, ndërsa kanë hyrë në veprim edhe dy avionë të ardhur nga Greqia për shuarjen e flakëve.
Top Channel