
Kryeqyteti francez dridhet nga frika e një tjetër sulmi të mundshëm terrorist. Të paktën 6 ushtarë u plagosën, dy prej të cilëve në mënyrë serioze, pasi u përplasën nga një automjet në periferinë “Levallois-Perret”.
Incidenti u pasua nga një operacion i madh policor për gjetjen e agresorit dhe automjetit të përfshirë në ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së mërkurës. Kryebashkiaku lokal, Patrick Balkany tha se nuk kishte dyshime se bëhej fjalë për një akt të qëllimshëm.
I intervistuar nga radioja “France Info”, ai shpjegoi se sulmi ndodhi rreth orës 8 të mëngjesit në “Place de Verdun”, jo shumë larg bashkisë. Sipas tij, një automjet i tipit BMW kishte shtuar shpejtësinë, duke përplasur një grup ushtarësh të operacionit antiterrorist “Sentinelle”, para se të largohej.
Hetuesit njoftuan se po marrin në konsideratë çdo lloj piste, përfshirë atë të terrorizmit.
Mediet franceze raportojnë se ministri i Brendshëm francez, Gérard Collomb po ndjek nga afër zhvillimet e ngjarjes. Përmes një postimi, kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo tha se shpresonte me gjithë zemër që agresori të kapej sa më shpejt.
Top Channel