Kërcënimet e Koresë, Tillerson: Amerikanët të flenë të qetë

09/08/2017 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka bërë thirrje për qetësi, ndërsa ka siguruar se amerikanët nuk duhet të shqetësohen pas kërcënimeve të ndërsjella mes Koresë së Veriut dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Shefi i diplomacisë amerikane këmbënguli këtë të mërkurë se nuk e beson që të ekzistojë realisht një “kërcënim i pashmangshëm”. “Amerikanët mund të flenë gjumë të qetë natën”, deklaroi ndër të tjera Tillerson.

Në ato që vlerësohen si terma më të qeta, Tillerson tentoi të shpjegonte idenë që qëndron pas paralajmërimit të Trump ndaj Penianit, i cili tha se “do të përballet me zjarr e tërbim, sikurse bota nuk e ka parë kurrë më parë” nëse vazhdon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara.

Tillerson tha se Trump u përpoq t’i dërgonte një mesazh të fortë dhe të qartë udhëheqësit të Koresë së Veriut, në mënyrë që të mos linte vënd për “llogari të gabuara”.

“Ajo që po bën presidenti është dërgimi i një mesazhi të fortë Koresë së Veriut, me një gjuhë që Kim Jong-un mund ta kuptojë, pasi duket se ai nuk e kupton gjuhën e diplomacisë”, tha Tillerson. “Mendoj se presidenti thjesht donte të ishte i qartë ndaj regjimit koreano-verior, sa i përket aftësive dhe kapaciteteve të padyshimta të Amerikës për t’u vetëmbrojtur e jo vetëm. Ne do të mbrohemi dhe do të mbrojmë edhe aleatët tanë”.

Komentet e vendosin Tillersonin sërish në rolin e “përkthyesit” të retorikës agresive të presidentit Trump në një gjuhë disi më diplomatike, si dhe në një detyrë të vështirë për të zvogëluar mundësitë e panikut publik.

Megjithatë, Trump duket se nuk do ta zbusë gjuhën. Edhe pse ndodhet me pushime në New Jersey, ai ripublikoi në “Twitter” një video të tij teksa lëshonte kërcënimin një ditë më parë, e më pas shkroi se “urdhri i parë” i tij si president kishte qenë rinovimi dhe modernizimi i arsenalit bërthamor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ky arsenal është shumë më i madh dhe më i fuqishëm se kurrë më parë”, shkruan Trump.

Top Channel