Justin Gatlin i prish festën e lamtumirës nga atletika Usain Bolt. Atleti amerikan u shpall kampion bote në garën e 100 metrave, ndërkohë që rekordmeni botëror u detyrua këtë radhë të kënaqej me medaljen e bronztë.
Ashtu siç ndodh gjithnjë, Bolt ishte favoriti për të fituar këtë garë, por diçka nuk shkoi siç duhej për 30-vjeçarin.
Xhamajkani nuk bëri një nisje të mirë të garës dhe e pati të vështirë që të rifitojë pozicionin e parë, kjo edhe për meritë të rivalëve të tij, pikërisht amerikanëve Justin Gatlin e Christian Coleman, me këtë të fundit që rezultoi një surprizë e këndshme e këtij kompeticioni.
Në fund, Gatlin fitoi me kohën 9.92 sekonda, ndërsa Coleman fitoi medaljen e argjendtë me 9.94 sekonda. Bolt e mbylli këtë garë me 9.95 sekonda, me medaljen e bronztë, por në fund të garës ovacionet ishin të gjitha për të dhe me të drejtë, ndërkohë që nuk mungoi as përqafimi mes kësaj legjende të atletikës dhe Gatlinit, një gjest që vlen më shumë se 1.000 fjalë.
Top Channel