Sezoni festiv në DigitAlb/ Me Paketën Premium përfitoni Champions League, Serie A dhe Big Brother
Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen duket se do të vazhdojnë të jenë shokë skuadre te Ferrari edhe për vitin 2018, pavarësisht zërave të fundit që flisnin për mundësinë e largimit të një prej tyre.
Është “Sky Italia” që e ka bërë të ditur këtë lajm, duke theksuar se zyrtarizimi i tyre do të bëhet në fillimin e muajit shtator, kur do të zhvillohet edhe Çmimi i Madh i Italisë, në Monza.
Ditët e fundit u fol shumë për ofertën e Ferrarit për Sebastian Vettel, që ishte një kontratë e re 3-vjeçare me pagë prej 120 milionë eurosh, me synimin që Vettel të mos tundohej nga ideja e kalimit te Mercedesi, ndërkohë që u fol me më shumë siguri për largimin e Kimi Raikkonen nga “kokëkuqja” italiane.
Por, sipas “Sky Italia”, finlandezi edhe këtë radhë e siguroi qëndrimin e tij te skuadra nga Maranello për të shënuar sezonin e tij të katërt radhazi aty.
Konfirmimi i mundshëm i dyshes Vettel-Raikkonen i mbyll dyert Alonsos, për të cilin ishin ngritur hipotezat për një rikthim te skuadra e Ferrarit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kandidatë si Sergio Perez, Antonio Giovinazzi, apo Charles Leclerc.
Por, për këta dy të fundit, mundësitë për të qenë pjesë e Ferrarit nuk janë shuar aspak, pasi drejtuesit e “kokëkuqes” italiane kanë deklaruar se do të shohin nga të rinjtë në të ardhmen.
Top Channel