Shkodër, vdes në pusetë punonjësi i bashkisë

14/07/2017 00:00

Një punonjës i Ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime mbeti i vdekur si pasojë e asfiksimit dhe dy punëtorë të tjerë janë dëmtuar gjatë kohës që po pastronin një pusetë të ujrave të zeza në periferi të qytetit të Shkodrës, pranë Kolegjit Turk.

Viktima është Kletos Celku, 35 vjeç, ndërsa janë dëmtuar dy kolegët e tij. Tre punonjësit kanë hyrë për të pastruar një pusetë dhe aty kanë mbetur të bllokuar. Dy nga punëtorët kanë mundur të dalin gati të asfiksuar ndërsa 35-vjeçari Kletos Celku është nxjerrë pa shenja jete.

Fillimisht u mendua për kontakt me rrymën elektrike, por pasi të plagosurit dhe viktima janë dërguar në spital është arritur të kuptohet nga mjekët se shkak i ngjarjes është bërë asfiksimi.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon hetimet për të parë nëse janë respektuar kushtet teknike të punës.

Top Channel