Promovimi i librit të filozofit të famshëm anglez Roger Scruton, “Filozofia moderne nga Aristoteli te filozofia analitike”, çeli siparin e vendimit të Universitetit Europian të Tiranës, për të hapur një katedër të Filozofisë Analitike dhe futjen e këtij libri, si tekst të detyrueshëm për të gjitha fushat e studimit.

“Ne kemi një problem në Shqipëri, të paktën të diversitetit dhe pluralitetit të shkollave. Ka dominuar kryesisht shkolla filozofike kontinentale dhe ne kemi pasur qasje të filozofisë analitike, por asnjëherë ajo nuk është strukturuar. Momenti erdhi! Grupi i filozofëve në UET dhe vendimi ynë administrativ për të përqëndruar në Departamentin e ri të Shkencave Humane, seksionin e Filozofisë Analitike, mendoj që është një ngjarje e rëndësishme akademike”, tha Henri Çili, administrator i UET-së.

“Ne jemi ende një shoqëri e palagur nga racionalizmi. Shkollat shqiptare nuk janë racionale sepse janë narrative. Mungon gjykimi konceptual në të gjitha tekstet që janë shkruar nga shqiptarët. Ky libër filozofik, që po ju jepet në duar, mund të sjellë këtë risi. E shikon filozifinë moderne nga një optikë e caktuar, që është filozofia analitike. Të gjithë filozofinë klasike e konsideron ngushëllim dhe jo një përpjekje për të vërtetën”, tha Spartak Ngjela.

Scruton ishte në Tiranë një vit më parë i ftuar nga UET, ku edhe u nderua dhe me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Top Channel