TKOB, bashkëpunim për përvojë nga “La Scala”

13/07/2017 00:00

Drejtoresha e Përgjithshme e Akademisë së Teatrit “La Scala” të Milanos ka vizituar këtë të enjte për herë të parë Tiranën. E ndjekur nga një delegacion profesionistësh, ajo u takua me drejtoreshën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me qëllim nisjen e bashkëpunimit mes dy teatrove.

Projekti i parë, për të cilin sapo kanë nisur negociatat, konsiston në përgatitjen e infrastrukturës së burimeve njerëzore nën mbikëqyrjen e Akademisë “La Scala”, për të administruar një teatër bashkëkohor, ashtu siç pritet të jetë TKOB pas rikonstruksionit.

“Është një projekt sfidues, shumë i bukur, që na bashkon mes të tjerash edhe gjeografikisht, pasi për shumë vite ka qenë e pamundur, e që më në fund po ribashkohemi përmes projekteve të tilla. Uroj që këtë projekt të mund ta vëmë në zbatim e ta konkretizojmë”, tha Luisa Vinci, drejtoreshë e Përgjithshme e Akademisë së Teatrit “La Scala”.

“Sigurisht, për të arritur nivelet e larta që teatrot europiane kanë sot, duhen edhe kapacitetet njerëzore të jenë sinkron këtyre niveleve. Ky projekt titullohet ‘Investim në njerëz’ dhe do të jetë një projekt që do të aftësojë kapacitetet e stafit tonë të menaxhimit, të administratës dhe stafit teknik e artistik, njëkohësisht për të qenë sinkron me teknologjinë e re koherente, me të cilat do të jetë i pajisur teatri i ri”, tha Zana Çela, drejtoreshë e TKOB-së.

Sipas zonjës Çela, ky do të jetë teatri ynë i vitit 2020, një teatër që do të ecë paralel me ambiciet e teatrove europiane.

Top Channel