Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Dy vjet pas sulmit ndaj policisë dhe vrasjes së efektivit Ibrahim Basha teksa po patrullonte në fshatin Lazarat, zyrtarë të Policisë së Shtetit i kanë kërkuar Gjykatës së Krimeve të Rënda të mos dalin të dhëna mbi planvendosjen e agjentëve ditën e 25 qershorit 2015.
Duke iu referuar legjislacionit, në një letër drejtuar trupës gjyqësore që po gjykon 11 të akuzuar, drejtori Haki Çako ka kërkuar ruajtjen e sekretit policor.
Kjo letër u lexua nga gjyqtari relator pikërisht në çeljen e seancës, ku pritej të dëshmonin 7 oficerë të RENEA-s, të gjithë të gjendur në zjarrin e një grupi të rinjsh, që dyshohet se kishin planifikuar të rimerrnin nën kontroll fshatin dhe të kthenin hashashin.
Por punonjësit e policisë, mes tyre edhe dy oficerët që mbetën të plagosur bashkë me Ibrahim Bashën, nuk u paraqitën.
Mungesa e tyre justifikohej nga një shkresë e dërguar nga reparti special i RENEA-s, që i sugjeronte gjykatës t’i jepte kohë për të ribërë axhendën për efektivët të cilët janë të angazhuar me shërbim.
Oficerët e RENEA-s, 4 prej të cilëve tashmë janë lëvizur në detyra të tjera, kërkohen për të treguar se si u qëllua ndaj tyre, disa orë pasi forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishin raportuar për të shtëna armësh në Lazarat.
Për shkak se reparti special RENEA merr pjesë në operacione të rrezikshme, prokurori kërkoi mbajtjen e procesit me dyer të mbyllura ditën që 7 dëshmitarët do të flasin.
Top Channel