
Ishte viti 1997 kur ata nisën të punonin për albumin e parë në Kosovë, album, i cili pa dritë fill pas luftës një vit më vonë.
Fillimisht vendosen t’i vinin një emër të përkohshëm, “Asgjë sikur dielli”, por do të ishte pikërisht ky emri që u bë shumë i dashur për publikun e që do t’i mbetej bandës muzikore nga Kosova për më shumë se 20 vite.
Sot, pas 2 dekadash ata vijnë në Tiranë me një koncert recital që do të mbahet mbrëmjen e 13 korrikut në Muzeun Historik Kombëtar.
“I detyrohemi Tiranës. Gjithmonë kemi ndjerë që këtu na duan, jemi si në shtëpi këtu. Duke marrë parasysh interesimin që është bërë shumë i madh këtu, aq shumë po më jep kënaqësi kjo, por në të njëjtën kohë ka filluar të më japë stres si një përgjegjësi që nesër do të jetë një natë shumë magjike këtu në muze”, thotë Alban Nimani, këngëtar i “Asgjë sikur Dielli”.
20 vite karrierë, djemtë do t’i kurorëzojnë me promovimin e një albumi të ri në një mënyrë krejt të veçantë.
“Së fundmi për të shënuar 20-vjetorin vendosëm me sjellë një pllakë gramafoni, që është albumi i fundit në format vinili me koncert këtu në Muzeun Historik Kombëtar. Nesër do të këndojmë këngë prej albumit të parë deri tek albumi i fundit i diskografisë. Do të mundohemi të zgjedhim këngët më të mira të të gjitha albumeve. Natyrisht do të kemi edhe “Mendoja se çdo gjë merr fund pa ty” me të cilën u njohëm këtu në Shqipëri tek “Top Fest”.
Top Channel