BE, 1.4 miliardë euro Ballkanit

12/07/2017 00:00

Samiti i Triestes ishte një mundësi për të çuar përpara arritjet e samiteve të mëparshme të Berlinit, Vjenës dhe të Parisit që u mbajt vjet, për të ndërtuar progres në disa fusha bashkëpunimi veçanërisht në agjendën e konektivitetit që është dhe mbetet element kyç i procesit të integrimit e rajonit te Ballkanit.

Pjesëmarrësit njëzëri konfirmuan mbështetjen për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa theksuan nevojën për përpjekje për reforma të reja në rajon.

U ra dakord për 7 projekte shtesë konektiviteti me një investim total 500 mln euro, duke e çuar fondin total të konektivitetit që nga 2015 në 1.4 mld euro për 20 projekte investimi.

Shtylla të tjera për të cilat u diskutua ishin: integrimi ekonomik rajonal, zhvillimi i sektorit privat dhe SME-ve, kontektiviteti human, si politikat e përbashkëta për rininë, shkencën, lufta kundër korrupsionit dhe qeverisja e mire, migrimi etj.

Qëllimi i investimeve në Ballkan është ndërlidhja më e mirë dhe përgatitja e këtyre vendeve për anëtarësim në BE, ka pohuar Komisioneri Europian i zgjerimit Johannes Hahn në një intervistë për DË.

Ka projekte konkrete, sqaron zyrtari i lartë europian, duke treguar sesi është përgatitur për nënshkrim një marrëveshje transporti. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet  e BE, që forcon edhe raportet ekonomike dhe i jep impulse të reja rajonit.

Komisioneri përcjell edhe bindjen e drejtuesve të tjerë të bllokut kur thotë se vitet e ardhshme në rajon do të hapen rreth 80.000 vende të reja pune. Problemet me Ballkanin, si gjithmonë, mbeten afatet kohore të zbatimit. Premtime ka shumë, por implementimi është i ngadaltë, kujton Hahn. Ngërçin tjetër e përbëjnë hijet e konflikteve të shkuara. Zgjidhja nuk është e lehtë.

“Ne duam t’i bashkojmë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pavarësisht nga niveli që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Konkretisht jemi duke zhvilluar negociata me Serbinë dhe Malin e Zi, me të tjerat jemi shumë larg. Por me përpjekjet tona që këto vende, të cilat janë të rrethuara nga anëtaret e BE-së, t’i fusim në infrastrukturën e BE-së në transport dhe në energji, krijohet një bazë për futjen e tyre në struktura të BE-së”, u shpreh Hahn.

Në kuadër të samitit është dhe një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u jepen si kredi rreth 6000 sipërmarrjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA