Festivali i Muzikës së Dhomës, mblidhen në Durrës 53 artistë

11/07/2017 00:00

Nuk është edhe aq e lehtë të përqafosh muzikën e dhomës, e aq më tepër të mos ndahesh prej saj për vite me radhë, por me dëshirën për t’i dhënë qytetit të saj një festival ku pushuesit e Durrësit të kenë një mundësi argëtimi mbrëmjeve gjatë verës, Nevila Kalaja ia ka dalë që për 12 vite të çojë përpara Festivalin e Muzikës së Dhomës.

“Në fakt ky festival ka lindur me idenë që Durrësi si një qytet bregdetar, si një qytet që ka premisa të zhvillimit të një turizmi në masë, të ketë festivalin e tij dhe bashkë me organizatorë të tjerë të këtij festivali kemi qejf që t’i dhurojmë qytetit tonë momente të bukura nëpërmjet koncerteve të këtij edicioni”, thotë Kalaja.

Më tej ajo shprehet: “Muzika e dhomës është një zhanër i muzikës që nuk mund ta krahasoj me muzikën simfonike. Muzika simfonike për këdo që mund ta dëgjojë jep emocione jashtëzakonisht të mëdha për vete potencialin e saj. Në qoftë se në një orkestër simfonike instrumentistët janë të prirur për të dhënë më të mirën e nivelit të tyre, në muzikën e dhomës secili prej instrumentistëve është solist”.

Isak Shehu, Merita Rexha Tershana dhe Elda Laro janë vetëm disa nga artistët që i janë bashkuar edicionit të 12-të të këtij festivali, i cili mbrëmjen e tij të fundit do ta ketë më 12 korrik në Muzeun Arkeologjik.

Top Channel