Anulimi i tenderave, pezullohen edhe procedurat e nisura

09/07/2017 00:00

Vendimi i qeverisë për pezullimin e tenderëve nuk prek vetëm prokurimet e reja. Agjencia e prokurimeve ka njoftuar të gjitha institucionet publike që të pezullojnë edhe procedurat për të cilat është hapur tashmë gara, e madje edhe për tenderat e zhvilluar që janë në proces vlerësimi.

Agjencia udhëzon autoritetet shtetërore, që për procedurat të cilat janë në fazën e pritjes së ofertave, të bëhet menjëherë pezullimi teknik në sistemin elektronik.

Sipas njoftimi, këto procedura do të qëndrojnë të ngrira deri në daljen e një vendimi të ri.

Pezullimi prek edhe tenderat e zhvilluar të cilët janë në proces vlerësimi. Sipas Agjencisë, edhe për këto procedura duhet të pezullohet menjëherë shpallja e fituesit dhe të mos kryhet asnjë veprim tjetër deri në daljen e një vendimi tjetër.

Vendimi për pezullimin e procedurave të prokurimit u miratua në mbledhjen e qeverisë me nismën e vetë kryeministrit Edi Rama. Sipas burimeve nga qeveria, qëllimi i vendimit është të mos lejojë prokurimet abuzive, deri në formimin e qeverisë së re, veçanërisht nga ministrat të cilët nuk i përkasin partisë socialiste.

Ekspertët e ministrisë së financave thonë se përmes kësaj mase synohet të shmanget një situatë e ngjashme me atë që u krijua në vitin 2013. Sipas tyre, qeveria e atëhershme në ikje e prokuroi pjesën dërrmuese të tenderëve të të gjithë vitit në periudhën e tranzicionit nga qershori deri në shtator duke e lënë buxhetin në vështirësi financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA