G20 bie “dakord që nuk janë dakord”

08/07/2017 00:00

Ngërçi për ndryshimet klimaterike mes SHBA dhe vendeve të tjera në Samitin e G20 u kalua diplomatikisht, por jo me një zgjidhje finale. Liderët e 19 kombeve në samit rinovuan zotimin e tyre për të implementuar marrëveshjen e Parisit për klimën, pavarësisht tërheqjes amerikane.

Ngërçi për këtë çështje dominoi ditën e fundit të bisedimeve në Hamburg, por vendet pjesmarrëse ranë dakord për deklaratën e përbashkët. Në tekstin e kësaj të fundit shkruhet se anëtarët e G20 janë të ndërgjegjshëm për tërheqjen amerikane nga pakti i Parisit, por theksohet angazhimi i këtij vendi për të ulur ndotjen duke mbështetur rritjen ekonomike dhe përmirësimin e nevojave të sigurisë energjitike.

Ekspertët thonë se teksti për të cilën ngulte këmbë SHBA dhe që mbështeste përdorimin e qymyrit e karburantit edhe për shumë kohë, duket se ka marrë një formë që të tjerët e kanë toleruar, pasi nuk janë të lidhur drejt për drejtë me të.

Në deklaratën e publikuar të shtunën shkruhet gjithashtu se 19 vendet e tjera të G20 ranë dakord se marrëveshja e parisit është e pakthyeshme. Duke konfirmuar marrëveshjen e kompromisit, kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi pozicionin e presidentit amerikan Trump, por ishte e kënaqur që vendet e tjera u shprehën kundër rinegocimit të paktit të parisit, dicka që tingëlloi si izolim i SHBA. Por lëshimi për Amerikën është bërë në fushën e tregtisë, pasi megjithëse deklarata dënon proteksionizmin, në tekst pranohet roli i instrumentave ligjore mbrojtëse tregtare.

“Liderët ranë dakord se nuk janë dakord”, ishte komenti i deklaratës nga analistë të ndyshëm, të cilët thonë se pjesëmarrësist në samit u përpoqën më shumë të kishin një tekst të firmosur nga të gjithë, sesa në zgjidhjen e mosmarrvëshjeve.

Top Channel