
Lulzim Basha u tha demokratëve se rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit jo vetëm ishte i paracaktuar, por se kjo kishte ndodhur përpara marrëveshjes politike.
“Nuk ishte një proces zgjedhor por ishte me të vërtetë një proces i manipuluar nga A-ja te ZH-ja. Nisja e fushatës elektorale për formacionin tonë politik, në fakt ishte fundi i fushatës elektorale për kundërshtarët tanë, që e kishin mbyllur punën”, deklaroi Basha.
Edhe sondazhi online i kryeministrit Rama për prioritetet e qeverisjes u cilësua nga Basha një provë e hipokrizesë me shqiptarët.
“Është e qartë për çdo shqiptar se Edi Rama nuk ka as program, as plan për të qeverisur Shqipërinë. Është e qartë se kjo maxhorancë është fiktive dhe nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, por përfaqëson shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që u faktua në këto zgjedhje si varrmihësi i demokracisë tonë të brishtë”, u shpreh Basha.
Bashkimi mes vetes dhe me shqipatrët është mesazhi që Basha po jep në fushatën për rizgjedhjen e tij.
“Është detyra jonë që në radhë të parë të bashkohemi brenda shtëpisë tonë, të bashkohemi rreth moralit tonë të konfirmuar në këto zgjedhje, me vullnetin e çdo shqiptari që do një shoqëri të lirë e jo të robëruar”, vijoi Basha.
Por kandidati tjetër, Eduard Selami beson se Partia Demokratike ka nevojë për një frymë të re dhe për më shumë demokraci.
“Ne duheti t’i rikthejmë demokracinë e brendshme PD, funksionimin demokratik dhe duhet që të prezantojmë brenda forcës sonë politike një frymë të re e cila duhet të insipirojë jo vetëm demokratët, por dhe të përcillet në gjithë Shqipërinë”, deklaroi Selami.
Selami, i cili kishte edhe një kritikë për udhëheqësit shqiptarë, premtoi se nuk do të jetë njëri prej tyre. “Majtas dhe djathtas, i ri dhe i vjetër, me formim në Perëndim ose jo, tek liderët politikë ka më shumë hije të zbehta të diktatorëve dhe autoritarëve që lamë pas sesa të liderëve perëndimorë. Këtë do të ndryshojmë që të përparojë Shqipëria”, tha Selami.
Për të treguar se është një politikan ndryshe, Selami kishte edhe një mesazh tjetër. “Edhe nëse humb, do të pranoj rezultatin dhe do të punojmë bashkë për fitoren”, shtoi ai.
Top Channel