
Macet janë mikeshat më të mira të Joni Krajës. Ato vëzhgojnë me qetësi nga afër punën e artistit e herë pas here futen në telajon e tij, në cikël ku ngatërrohen macja, tigri e femra duke e befasuar edhe vetë artistin me produktin final.
“Unë nuk e di a janë femrat që më kujtojnë macet, a janë macet që më kujtojnë femrat. Pa diskutim që duhet të ketë diçka midis të dyjave te ky cikël. Mund të ketë ndjesi, mund të ketë grimca të vogla, që të gjitha i bashkojnë dhe pastaj piktura më surprizon me atë çka do të dali në fund: do të jetë mace? Do të jetë femër, apo do të jetë diçka nga këto të dyja”, thotë autori.
Kotelet e Krajës janë shume ledhatare. Janë si ato femrat që kujdesen shumë për look-un në çdo detaj dhe e gjithë kjo panorama për gjininë e brishtë vjen me hijeshinë e bardhezisë.
“Kjo lloj pikture, kur e shikon nga larg kam përshtypjen që të jep një iluzion tjetër. Ka të bëjë më shumë me humanen, pastaj duke u afruar mund të ndërthuret pak me këtë portretin e maces. Jam nga ata artistë që beson tek njollat, besoj tek frakturat, tek përballja me telajon”, shprehet Kraja.
12 punime në grafikë dixhitale plotësojnë ekspozitën e artistit.
“Grafikat e vogla janë në mënyrë specifike po themi në thonjeza, një kënaqësi, ose një studim i të parit të këtyre felinëve, ndofta kur i sheh me ato këmbët. Jam përpjekur që të tregoj lëvizjen e maces”, thotë ai.
Ai e ka quajtur “Kuriozitet” këtë cikël të veçantë dedikuar femrave, të cilin e ekspozon gjatë gjithë muajit korrik në ‘Galerinë 70’ të Artit Kontemporan.
Top Channel