
Ambasadori amerikan Donald Lu dhe kryeministri Edi Rama janë takuar sot për më shumë se 90 minuta në Kryeministri. Donald Lu ka biseduar kokë më kokë më kreun e qeverisë në takimin e tyre të parë pas zgjedhjeve të qershorit.
Burime konfidenciale thanë për Top Channel se takimi ka qënë miqësor dhe nuk ka patur një axhendë konkrete diskutimesh mes tyre.
Detaje të këtij takimi ende nuk dihen por besohet se Lu dhe Rama kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike, në një kohë kur socialistët do të qeverisin të vetëm nga shtatori, kur pritet të shpallet edhe kabineti i ri qeveritar.
Takimi vjen në një kohë kur socialistët, sipas udhëzimit të Ramës, kanë nisur një tur falenderues dhe dëgjimor në të gjithë vendin, për të dalë në fund të gushtit, në Asamblenë Kombëtare me një platformë të re qeverisëse bashkë me qytetarët, ku është kërkuar edhe një analizë dhe reformë e thellë në administratën shtetërore.
Deri më tani, ambasadori amerikan Lu, edhe pse ndoqi nga afër zgjedhjet e 25 qershorit si vëzhgues në disa qendra votimi dhe numërimi, ende nuk është shprehur rreth procesit.
Top Channel