Porto Palermo dhe Himara do të jenë dy stacionet e edicionit të dyte të “Jazz & Wine Festival”. Muzikë jazz, ekspozita brenda në kala, polifoni e shumëçka tjetër do të ndodhë këtë fundjavë me 7 dhe 8 korrik në bregdetin shqiptar.

“Thashethemet, legjendat, misticizmi që vetë kalaja e Ali Pashës ka, përbën magjinë që çdo turist i intereson të dijë, pra shkojmë pas në histori. Synimi është për të rivitalizuar turizmin kulturor. Arti flet nëpërmjet kulturës, arti flet nëpërmjet muzikës, komunikimi me fqinjët, por edhe përtej, me kontinente të ndryshme, sepse kemi artistë që vijnë nga Zelanda e Re, nga Kolumbia, nga Kuba. Kemi disa aspekte kulturore që na lidhin me ta, qoftë nga energjia, qoftë nga e kaluara”, shprehet Eda Zari, këngëtare.

Ky edicion vjen pas një viti pushim, e mungesën e një viti më parë, këngëtarja e justifikon me cilësinë që duhet të kenë të tilla nisma.

“Nuk është çështja për të krijuar një festival në formatin e kuantitetit, por ajo që mendoj unë është më mirë ta kthejmë në një kualitet, ku edhe njerëzit mezi ta presin. Natyrisht kërkojmë që ta kthejmë në një ritual, në një traditë, por gjithmonë brenda një kuadri kualitativ”, thotë këngëtarja.

Top Channel