
Socialistët vijojnë takimet falenderuese, pjesë e procesit të dëgjesave me qytetarët, me synimin për t’i përfshirë ata në bashkëqeverisjen e 4 viteve të ardhshme.
Taulant Balla u ndal këtë të mërkurë në Përrenjas, me premtimin se pas fitores së 25 qershorit ka nisur një fazë e re.
“Ne jemi duke iniciuar një proces bashkëqeverisjeje me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë dhe duhet të gjithë ta dinë që me votën e 25 Qershorit ne e përmbysëm tepsinë e bashkëqeverisjes me partitë e interesave të vogla, por prej 25 Qershorit jemi në bashkëqeverisje me njerëzit e thjeshtë të këtij vendi”, tha Balla.
Balla ftoi çdo qytetar që t’i bashkohet turit të dëgjesave për të shprehur shqetësimet e tyre, ndërsa theksoi se ashtu si vetë fushata kuqezi, edhe qeverisja në mandatin e dytë do jetë kuqezi.
“Në çdo lagje ne do të bëjmë takime me njerëzit, pa dallime. Ju lutem mos bëni dallime, ftojini të gjithë, edhe ata që e kanë mbështetur PS, edhe ata që nuk e kanë mbështetur, për një arsye apo për një tjetër, sepse në fund të fund të fundit qyteti i Prrenjasit është i popullit të Prrenjasit, nuk është i partive politike. PS, siç zhvilloi një fushatë kuqezi, edhe qeverisjen do ta ketë kuqezi, për të gjithë shqiptarët të bashkuar”, tha Balla.
Nga dëgjesat me qytetarët, çdo drejtues qarku do të përcaktojë prioritetet dhe nevojat kryesore për secilën zonë deri në fund të gushtit.
Top Channel