
Astrit Patozi thotë se do të vazhdojë aksionin e tij politik brenda Partisë Demokratike për të garantuar, siç thotë ai, për të vendosur një garë normale.
Duke folur në Top Story, Patozi thotë se kjo “luftë” bëhet për shpëtimin e PD.
“Është minimumi që duhet të bëjë PD për t’u ringirtur. Ne kemi ende energji dhe mundësi që ta arrijmë këtë që zoti Basha të mos kurorëzohet përmes një farse elektorale, por le të fitojë me një garë të drejtë”, tha ai.
Patozi fajëson Bashën për rezultatin e zgjedhjeve. Ai thotë se Basha e çoi partinë në një humbje katastrofike dhe të pashembullt në historinë e Shqipërisë.
“Është hera e parë që një parti në opozitë bie dhe jo bie, por bie me kokë. Jemi 14 mandate më pak se 2013, që thamë se ishin zgjedhjet më të këqija dhe katastrofike për ne”, tha ai.
Sipas Patozit, Basha nuk është kërcënim vetëm për Partinë Demokratike, por për gjithë Shqipërinë.
“Është kërcënim se me rezultatin e arritur i dha mundësi kundërshtarit tonë politike, Edi Rama që të ketë në dorë dhe të vendosë tani nëse arroganca e pushtetit do të rritet apo jo në katër vitet e ardhshme”, deklaroi Patozi.
Top Channel