Mandija: Procedura e VKM, jo transparente

03/07/2017 00:00

Pas një lajmi të Top Channel reagoi zëvendëskryeministrja, Ledina Mandija, e cila shpjegon se përse 4 ministra teknikë nuk votuan për blerjen e energjisë elektrike.

Mandija, thotë se arsyeja se përse 4 nga ministrat teknikë nuk firmosën blerjen e energjisë ishte fakti që procedurat për miratimin e VKM-së nuk ishte transparente, konkretisht pa relacion shpjegues dhe as analizë të detajuar së përse ishin shteruar rezervat ujore në kaskadë.

Në reagimin e zëvendëskryeministres thuhet se në muajin maj 2017 duhej të ishte tenderuar energjia elektrike për muajin qershor çka, sipas saj, nuk ishte bërë.

Si rrjedhojë thuhet në reagim, mungesa e energjisë së tenderuar në treg u plotësua nga KESH nëpërmjet kaskadave, duke i konsumuar ato edhe më shumë rezervat e tyre.

Sipas zëvendëskryeministres bie poshtë argumenti se, KESH ishte në kushtet ku nuk mund të prodhonte energji për shkak të nivelit të ulët të rezervave ujore.

Sipas Ledina Mandijas, nuk u bënë pengesë për furnizimin me energji dhe se nuk e kanë detyruar ata qeverinë për të blerë sot energji me kosto të lartë.

Top Channel