Ekonomia u rrit me 4 për qind

30/06/2017 00:00

Rritja ekonomike ceku shifrën 4 për qind në tremujorin e parë të vitit duke shënuar nivelin më të lartë që nga tremujori i parë i vitit 2011.

“PBB për 3-mujorin e parë të vitit 2017, në krahasim me 3-mujorin e parë të vitit 2016 është rritur me 3.94 %. Në krahasim me 3-mujorin e katërt të vitit 2016, ekonomia vlerësohet në rritje me 0.74%”, thotë Delina Ibrahimi, drejtoresha e INSTAT.

Ky është tremujori i dytë rresht që rritja ekonomike luhatet rreth shifrës 4 për qind duke treguar se ekonomia po ecën më një ritëm më të shpejtë se më parë.  Sipas INSTAT, edhe këtë tremujor zgjerimi i ekonomisë është udhëhequr nga sektori i ndërtimit.

“Aktiviteti i ndërtimit pati rritje me 14.06%, i ndikuar nga investimet publike dhe investimet private të lidhura kryesisht me projektin TAP”, thotë Ibrahimi.

Ndërsa në krahun e shpenzimeve, zgjerimi i Prodhimit Kombëtar është ndikuar si nga rritja e konsumit të familjeve, ashtu dhe nga ritmi dyshifror i investimeve.

“Kosnumi final i popullatës i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve të ekonomisë shqiptare u rrit me 1.94%. Konsumi final i qeverisë u rrit me 7.78%. Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks, i cil përafron investimet u rrit me 10.88%”, thotë drejtoresha e INSTAT.

Vitin e kaluar ekonomia shqiptare u rrit me 3.37 për qind. Qeveria dhe Fondi Monetar ndërkombëtar presin që këtë vit rritja të përshpejtohet në 3.7 për qind. 
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA