
Shpëtim Idrizi nuk e pranon humbjen e mandatit të tij në kryeqytet dhe për këtë ka ende shpresa.
Në një dalje për mediat, e dyta në listën e PDIU-së për Tiranën, Mesila Doda fajin për votat që PDIU-së i nevojiten për të marrë edhe mandatin e Tiranës, ia faturoi disa gabimeve teknike të KZAZ-ve, ku votat e PDIU-së në 16 raste kanë shkuar gabimisht për parti të tjera.
“Mandati i Tiranës është për PDIU-në. Zoti Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së, është deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Janë mbi 60 vota të njësisë 5 që nuk janë të hedhura në sistem. Kemi bërë ankimim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votat e hedhura gabim në një parti tjetër. Pra, votat e PDIU-së kanë kaluar në një subjekt tjetër”, tha Doda.
Mesila Doda thotë se sapo KQZ-ja të korrigjojë procesverbalet e disa KZAZ-ve në Tiranë, votat përfundimtare do të sigurojnë mandatin e katërt të PDIU-së në rang kombëtar.
“Janë të mjaftueshme, ndaj le të festojmë”, tha Doda.
Vetë Mesila Doda nuk arriti të marrë mandatin e saj në Tiranë, duke mbetur jashtë parlamentit: “Më keni parë që 20 vjeç pjesë të politikës. Kam qenë në grevë urie dhe në institucione të ndryshme. Mos kini dyshim, do të jem në politikë dhe në funksione të rëndësishme. Nuk do të thotë asgjë që nuk jam në Parlament. Do e bëj ndryshimin”.
Top Channel