
Procesi i votimit po zhvillohet edhe në qarqet e vendit. Nga të dhënat e fundit rezulton se në Korçë nuk ka patur asnjë problem.
Ndërkohë, rreth 3 mijë persona, kryesisht emigrantë që kthehen për të votuar, kanë hyrë në vend përmes pikës së kalimit të Kapshticës.
Në fshatin Sheqeras persona të paautorizuar kanë hyrë në një qendër votimi, ndërsa në Vreshtas është ngatërruar lista. Në fshatin Veliterne votimi është bllokuar për shkak të verifikimit të votimit familjar.
Në Kolonjë, në fshatin Rehovë mungojnë fletë votimi, ndërsa në Qinam mungon vula dhe boja.
Probleme të vogla janë verifikuar në Shkodër, ku LSI ka deklaruar se identiteti i një komisioneri të Partisë Demokratike se nuk përputhet me atë që ndodhet në materialet zgjedhore.
Në Lushnje dhe Divjakë, sekretarë të PD janë tërhequr nga komisionet mbikëqyrëse në rreth 30 qendra dhe janë larguar me vulën.
Fieri, qarku i dytë më i rëndësishëm në këto zgjedhje, ka patur një ditë të qetë. Deri në orën 09:35, procesi i votimit po vazhdon normalisht.
Në Elbasan situata është e qetë. Votimi ka nisur pas faljes së Namazit dhe besimtarët kanë qenë të prirur për të shkuar drejt votimeve.
Edhe në Vlorë po votohet. Situata paraqitet e qetë dhe normale e po ashtu në Sarandë e Himarë.
Nga dega e LSI në Sarandë ka patur një akuzë ndaj Partisë Socialiste se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka kryer blerje votash duke lëvizur në rang qarku me një furgon.
Drejtoria e Policisë së Vlorës ka reaguar duke përgënjeshtruar lajmin dhe sqaruar se, furgoni shërbente për të shpërndarë efektivët në qendrat e votimit.
Ndërkohë, në fshatin Shëndëlli është gjetur një makinë tip “Mercedes” i shkatërruar, pronari i të cilës thotë se është nga radhët e LSI-së dhe djalin e ka komisioner. Gjithësesi, pritet që hetimet të zbardhin nëse ky incident ka lidhje me zgjedhjet.
Qarku Gjirokastër ka qenë i qetë sa i përket zgjedhjeve. Një problematikë e tipit teknik është verifikuar në zonën e Dropullit, ku LSI duket më aktive për shkak të kandidatit Vangjel Tavo që kryeson listën.
Konkretisht në këtë zonë ka patur një problem me vulën, që ka bërë që procesi të bllokohet për 30 minuta, por më pas situata është zhbllokuar dhe procesi ka rifilluar. Ka patur edhe në Përmet diçka të ngjashme, por procesi vijon normalisht.
Në këto zgjedhje është regjistruar edhe partia Mega, i vetmi formacion politik për minoritetin greke. Ndërkohë, në Dropull kanë ardhur 500 persona për të votuar. Thuhet se prirja ka qenë për të votuar për partitë e tjera dhe jo ato të minoritetit grek.
Kjo, pasi të ardhurit me autobusët e siguruar nga PS janë shumë më të shumtë në numër se ata të ardhur me autobusët e PBDNJ-së.
Në Dibër situata paraqitet e qetë, ndryshe nga pak ditë më parë kur pati dy incidente, edhe ato të vogla. Me përjashtim të dy qendrave të votimit, që kanë pasur mungesë materialesh, procesi ka vijuar normalisht dhe më vonë problemet janë zgjidhur.
Por në disa qendra votimi ka patur votim familjar. Në Burrel kryetari i një QV-je nga PD ka kërcënuar me vetëvrasje dhe nga KZAZ-ja është kërkuar zëvendësimi i tij. Pjesëmarrja në zgjedhje në Dibër pritet të shkojë rreth 58 për qind në total.
Top Channel