Zgjedhjet 2017, partitë politike në takimet e fundit me elektoratin

23/06/2017 00:00

Fatmir Mediu edhe një herë nga Domja dhe Bathorja në kryeqytet, u bëri thirrje mbështetësve të PR-së të votojnë numrin 6, PD dhe planin e saj ekonomik.

Mos e shisni votën tuaj se është sikur të shisni familjen tuaj, nderin tuaj. Ne nuk mund të pranojmë që t’i japim besë atyre që janë të pabesë, atyre që ndërrojnë kah politik për interesa vetjake. Mbajini larg këta njerëz”, është shprehur Mediu.

Ndërsa Shpëtim Idrizi nga Fieri, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen nën moton e PDIU, veç një atdhe.

“Më duhet që t’i drejtohem të gjithë shqiptarëve, votoni ata që ju thërrasin me zemër, që ju drejtohen me shpirt, që kanë zemër për t’ju dëgjuar dhe kanë zemër për t’u bërë bashkë me ju, për t’i dhënë shpresë këtij vendi të mrekullueshëm. Prandaj ju ftoj të votoni PDIU-në, një parti e hapur për të gjithë shqiptarët nga Tropoja në Konispol, për këdo ku rreh zemër shqiptari”, është shprehur Idrizi.

Libra mbylli fushatën me një koncert në Tiranë, ku para të pranishmëve kreu i saj Ben Blushi deklaroi se qëllimi i kësaj force politike është të përcejëllë zërin e njerëzve në Parlament.

“Kjo është arsyeja pse Libra do të jetë në Parlament. Për ti dhënë shpresë njerëzve të dhunuar, për ti dhënë zë njerëzve të lirë. Dhe Libra do jetë në Parlament për të përfaqësuar këdo nga Tropoja në Konispol”, tha Blushi.

Top Channel