Basha në Elbasan: Rama ju mashtroi. Premtoj një ekonomi më të mirë

23/06/2017 00:00

Kreu I opozitës, Lulzim Basha premtoi në Elbasan se do të luftojë krimin dhe do të ulë taksat.

“Doni ta çlironi Elbasanin nga bandat apo jo? Bashkë do ta çlirojmë. Unë do ta shtyp krimin dhe do t’ju çliroj nga ai. Do të ndërtojmë institucione ekonomike, për ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë, për çdo shqiptar. Vagoni i Rilindjes do të shkojë për skrap, por furrënaltën do t’ia ndezë Elbasani”, tha Basha.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se mashtroi qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë vendit, duke mos mbajtur asnjë prej premtimeve të tij. Basha sulmoi reformat e qeverisë Rama në arsim dhe shëndetësi.

“A ju pyeti Rama kur rriti tarifat e universiteteve? Ai i merr taksat nga xhepat e prindërve dhe në vend që ti harxhojë për universitetet, ju fut edhe një herë një taksë tjetër, tarifën universitare. Ai u premtoi se do t’ju ulë çmimin e energjisë dhe ju gënjeu, duke e rritur atë pa ju pyetur, ashtu siç ju gënjeu për naftën dhe për shëndetësinë falas. Shëndetësi falas nuk ka. E vetmja gjë që do të bëj falas, është një pavion për gënjeshtarët, në spitalin psikiatrik”, u shpreh Basha.

Kreu I PD-së kërkoi votat në Elbasan, duke premtuar një ekonomi më të mirë.

“Sepse të dielën do të merret një vendim i madh dhe ky vendim nuk ka të bëjë me laj dhe lule, as me batuta dhe barsaleta, as me protagonizëm të sëmurë politikanësh, por me fatet tuaja dhe të familjeve tuaja. Të dielën votohet për ekonominë”, tha kreu i PD-së. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA