Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar këtë të enjte se eksponentë të spikatur të Partisë Socialiste po blejnë vota në Vorë.

Në një deklaratë për mediat, kandidatja për deputete në Tiranë, Eriona Bixha ka akuzuar disa persona, të cilët sipas saj janë njerëz të lidhur me ish-ministrin Saimir Tahiri, në bashkëpunim me të cilin po shpërndajnë para në këmbim të votës.

“Ndihem e indinjuar dhe e revoltuar që disa persona mendojnë se me anë të lekëve mund të blejnë votat dhe dinjitetin e banorëve të Vorës. Uragani i fitores plebishitare që LSI do të ketë në 25 qershor është kthyer në makth për disa forca politike. Dua publikisht të denoncoj drejtuesin e shit-blerjes së votave në Bashkinë e Vorës, shtetasin Agim Kajmaku, i cili e ka shndërruar makinën e tij në një bankë, ku në bashkëpunim të plotë me komisariatin e Bashkisë Vorë dhe me përkrahjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri çdo natë organizojnë skemën e shpërndarjes së parave shtëpi më shtëpi”, ka thënë Bixha.

Tahiri: Ilir, boll hodhe baltë ndaj meje

Nga ana e tij, Tahiri është përgjigjur përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, duke iu drejtuar kryetarit të LSI, Ilir Meta.

“Më dëgjo me vëmendje Ilir Meta! U bë një kohë e gjatë që më bie në qafë duke hedhur baltë mbi mua dhe t’a kam thënë në sy kur kishim ende komunikim bashkë se je gabim!

Po ti nuk pushove një sekondë në luftën tënde të verbër me mua. Më hodhe në kurriz të gjithë doracët që paguan në kazanin mediatik të Shqipërisë dhe jo vetëm.

Pagove para që të nxish Policinë e Shtetit dhe mua personalisht, edhe në media e portale jashtë Shqipërisë. Më vure pas një hafije tënden si zv.ministër që arriti deri në çmendurinë e tentativës për të përgjuar zyrën time!

Nuk le mik e partner të Shqipërisë pa i zbrazur baltën e barkut tënd sa herë të takonin si kryetar Kuvendi. Dhe nuk të mjaftoi fakti që unë e lash detyrën, për të vazhduar të merresh me mua pa pushim!

Madje, aq i pashërueshëm je në këtë fiksimin tënd kundër meje, sa u lëshove fare edhe kundër Policisë së Shtetit, pasi u zgjodhe edhe President zotrote me votat e Partisë Socialiste.

Ke javë të tëra që sa ti, sa gruaja jote, sa kryeshërbëtori yt, sa luanët e kotelet e kazanit tënd politik, merreni me mua duke sajuar lloj-lloj idiotësish, për gjoja presione policore e blerje votash!

Se kush është tregtari më i madh i blerjes së votave dhe i vendeve të punës në Shqipëri, këtë e di i madh e i vogël! Prandaj ti nuk i mbush mendjen dot askujt me rolin qesharak të viktimës së zgjedhjeve që po e luan si i dalë mendsh, ekran më ekran dhe shesh më shesh.

Unë e di që ti do vazhdosh të merresh me mua dhe s’po e postoj këtë mesazh që ti të heshtësh, por që ti ta dish se nuk do pushoj një minutë deri kur të mbarojë procesi i votimit që ti dhe kazani yt politik ta merrni atë që meritoni nga Tirana, Vora, Kamza, Kavaja e Rrogozhina!

Me vota Ilir, me vota, jo me zarfa, as me iPhone, as me miell, as me grurë dhe as me grupe që janë objekt i punës së Policisë së Shtetit për përfshirje në trafiqe të rënda…

Vazhdo nxirri kotelet e tua në ballin e kazanit tënd politik, po përgatitu mirë shpirtërisht që të mos bësh për një muaj masazh koke, pas numërimit të votave të qarkut Tiranë”, ka thënë Tahiri.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta