Ballkani ishte në qendër të diskutimeve të organizuara në Washington nga fondacioni gjerman Marshall.
Mes nacionalizmit në rritje, ndërhyrjes së Rusisë dhe kërcënimit të ekstremizmit islamik, ekspertët bënë thirrje për një bashkëveprim më të ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, për të mënjanuar paqëndrueshmërinë dhe kthimin e rajonit në një rrezik për sigurinë.
Daniel Vajdich, president i grupit konsultativ “Yorktown Solution”, i cituar nga Zëri i Amerikës, thotë se Rusia ka interes qe tani të jetë aktive në Ballkan, si barazpeshë për pretendimin e Moskës se Perëndimi minoi ndikimin rus në Ukrainë.
Daniel Vajdich
“Kremlini akuzoi Perëndimin se po ndërhynte pranë territorit të tij. Rusia u përgjigj në mënyrë simetrike duke thënë se, nëse ju ndërhyni pranë nesh, ne do të ndërhymë pranë jush dhe në mendje kishin pjesërisht Ballkanin. Ballkani është një objektiv i prekshëm, me histori paqëndrueshmërie, me lidhje të forta orthodokse si dhe një listë çështjesh të pazgjidhura, si ajo e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”, tha Daniel Vajdich.
Daniel Serwer, eksperti i çështjeve të Ballkanit thotë se, ndërsa kohëzgjatja e prespektivës evropiane i ka pezmatuar shumë vende të rajonit, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të punojnë për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin e tyre në aleancën e NATO-s.
“Anëtarësimi në NATO është shumë i rëndësishëm tani që lakmia për hyrjen në BE është venitur. Problemi është se anëtarësimi në NATO po bllokohet për disa vende, nga problematika të tyre dhe jo nga aleanca e NATO-s. Maqedonia është bllokuar nga çështja e emrit, Kosova pasi nuk ka ushtri. Nëse amerikanët duan të bëjnë diçka sot në Ballkan, kjo është të zgjidhin këto probleme që po bllokojnë anëtarësimin në NATO”, tha Serwer.
Ekspertët thanë se udhëheqësit e rajonit kërkojnë me zë të lartë më shumë angazhim nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Evropa ka më pak besueshmëri nga sa kishte disa vjet më parë. Ata shpresojnë që administrata Trump do ta kthejë vëmendjen nga Ballkani.
Top Channel