Gjermanëve u pëlqen marrëveshja. Deputeti: Në dobi të Shqipërisë

22/06/2017 00:00

Deputeti gjerman, Thorsten Frei pret që zgjedhjet në Shqipëri të kalojnë më mirë sesa ato të fundit.

“Sipas vlerësimit tim, por edhe atij të OSBE-së, ekziston mundësia që zgjedhjet parlamentare të së dielës të jenë përgjithësisht më të lira dhe më korrekte sesa zgjedhjet e vitit 2013”, shprehet anëtari i “Bundestag”-ut gjerman.

Me rëndësi thelbësore këtu, sipas tij ishte marrëveshja e arritur me presionin e PD-së dhe me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, në 18 maj mes Bashës dhe Ramës, përkatësisht mes PD-së dhe PS-së.

I pyetur nëse e sheh mundësinë e një koalicioni të madh partiak, si opsion të dëshirueshëm për ta çtensionuar në vazhdim gjendjen, Frei jep këtë përgjigje:

“Të dëshirueshme, koalicionet e mëdha partiake – siç i kemi edhe në Gjermani, – nuk janë kurrë. Por duke pasur parasysh nevojat e mëdha shoqërore dhe politike, pavarësisht nga rruga e mëtejshme për në BE, një opsion i tillë nuk do të ishte zgjidhja më e keqe për vendet e rajonit. Megjithatë do të nevojitej një bashkëpunim transparent dhe në mirëbesim, në dobi të vendit dhe të qytetarëve të tij. Por, le të presim njëherë zgjedhjet”, tha Thorsten Frei, deputet gjerman.

Duke bërë bilancin e punës së qeverisë “Rama”, deputeti gjerman e cilëson një sukses dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE, ndërsa thekson se rëndësi qendrore ka lufta kundër kriminalitetit, veçanërisht kundër kultivimit të drogës, ajo ndaj korrupsionit, si dhe dekriminalizimi, ku sipas tij duhej të ishte bërë më shumë.

Frei shprehet se nevojitet përparim në prioritetet kyçe dhe gatishmëri e të gjitha partive për ta çuar përpara në mënyrë pozitive vendin, e kjo sipas tij ka ka të bëjë në radhë të parë me Reformën në Drejtësi dhe me procesin e “Vetting”-ut, i cili nuk duhet harruar kurrsesi pas zgjedhjeve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta