Një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.2, shkalla Rihter, ka tronditur banorët e Lesbosit, të cilët po përjetojnë shqetësim të madh pas lëkundjeve të vazhdueshme sizmike që po regjistrohen, pas tërmetit prej 6.1 të shkallës Rihter që goditi ishullin të hënën e kaluar.
Tërmeti i ri ka pasur epiqendrën 31 km në juglindje të Lesbosit, në një thellësi prej 10 km. Më herët ishin regjistruar edhe dy lëkundje të vogla, që e kanë çuar numrin e lëkundjeve pas tërmetit kryesor, në mbi 360 tërmete nën magnitudën 5 shkalla Rihter.
Sipas sizmiologëve, procesi i çlirimit të energjisë sizmike të mbledhur në këtë zonë pritet të zgjasë të paktën dy muaj, e sigurisht tërmetet e njëpasnjëshme janë një dukuri normale sipas tyre.
Por duke iu referuar tërmetit kryesor të ditës së hënë, që goditi në veçanti zonën Vrisa, ekspertët theksojnë se kanë të bëjnë me një fenomen global gjeologjik, që duhet studiuar në muajt e ardhshëm, pasi nuk është hasur në 50 tërmete të mëdha në mbarë botën një fenomen i ngjashëm.
Energjia sizmike që goditi fshatin Vrisa ishte e përqëndruar vetëm në një vend, aty ku u shkaktuan edhe dëmet më të mëdha, ndërsa pjesa tjetër kishte dëme më të lehta. Deri tani, organet vendore kanë regjistruar 637 shtëpi të papabanueshme dhe të paktën 230 të pastrehë janë dërguar në hotelet e ishullit.
Top Channel