LSI: Shkarkoni Haki Çakon. Policia e rilindjes bashkëfajtore për dhunën

18/06/2017 00:00

Ilir Meta vizitoi në Spitalin e Traumës në Laprakë aktivistin e LSI që u godit dje në ambientet e shtabit elektoral në Fushë Krujë. Drejtues të LSI i kërkuan policisë te identifikojë autorët ndërsa Luan Rama kërkoi shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë Haki Çako.

Koordinatori i LSI në Fushë Krujë, Blerim Çela, është goditur pasditen e së dielës nga persona ende të paidentifikuar, gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në ambientet e shtabit elektoral.

Menjeherë ai është dërguar në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, ku dhe është vizituar nga Presidenti i Zgjedhur Ilir Meta, i shoqëruar nga nënkryetari i LSI, Luan Rama.

Ndërkohë kandidatja për deputete e LSI, Nora Malaj, kërkoi nga policia identifikim e targës AA 048 MB, mjet me të cilin sipas saj janë larguar personat.

Ndërkaq në një konference ‎për shtyp, Luan Rama ka dënuar ashpër ngjarjen dhe akuzuar atë që ai e cilëson si “policia e rilindjes”

“Shkarkimin për mosveprim të Haki Çakos, komisariatit të policisë në Pukë, Berat, Lezhë dhe komisariati në Fushë Krujë, në të kundërt, mos veprimi, është bashkëfajësi. Përfshi këtu dhe kryetarin e rilindjes. Qytetarët përballë dhunës, të ruajnë veten dhe integritetin, pa i kapërcyer kufijtë ligjor”, deklaroi Luan Rama.

Ndërkohë policia thotë se simpatizanti i LSI është goditur teksa ka qenë duke u futur në një lokal dhe se ka ngritur grup hetimor për rastin.

Uniformat blu kanë dhënë informacion edhe për një rast tjetër në Fushë Arrëz, ku patrulla e përgjithshme ka ndaluar në hyrje të qytetit një automjet tip ‘Ford’ me xhama të errësuar dhe dy zonja që udhëtonin në të janë prezantuar si anëtare e një subjekti politik dhe kandidatë për deputetë.

Pas prezantimit janë lejuar të vazhdonin lëvizjen. Por dy shtetaset kanë dalë nga automjeti dhe njëra prej tyre ka shfaqur gjendje të fikëti.

Top Channel