Francë, presidenti Macron merr shumicën në Parlament

18/06/2017 00:00

Emmanuel Macron u qëndron të gjitha parashikimeve. Partia e presidentit francez ka siguruar një shumicë të qartë parlamentare, vetëm pak javë pas triumfit që e çoi 39-vjeçarin në krye të Elizesë.

Me pothuajse të gjitha votat tashmë të numëruara, “Republika në marshim” dhe aleatët e saj, “MoDem”, kanë fituar më shumë se 300 vende në Asamblenë Kombëtare 577-vendëshe të Francës.

Partia e Macron u formua vetëm një vit më parë dhe gjysma e kandidatëve të saj kanë pak, ose asnjë lloj eksperience politike.

Rezultati i këtyre votimeve sposton nga vëmendja të gjitha partitë e mëdha dhe i jep presidentit të ri një mandat të fortë në Parlament për të ndjekur planet e tij pro Bashkimit Europian dhe reformat miqësore për biznesin.

Raundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare në Francë pati një pjesëmarrje prej 42%, shumë më e ulët sesa ajo e vitit 2012. Vëzhguesit mendojnë se kundërshtarët e Macron, thjesht nuk janë lodhur që të dalin e të hedhin votën e tyre, me bindjen se e kanë të humbur. Mes votave kundër kishte edhe nga ata që janë simpatizantë, por tregohen të kujdesshëm me pushtetin.

“Në raundin e parë zgjodha Macron, por këtë herë votova për republikanët. Mendova se Macron mund të grumbullojë shumë pushtet, kështu që duhet edhe opozita. Nëse partia e tij i merrte të gjitha vendet në Parlament, për ne nuk është gjë e mirë”, tha Francois, votues francez.

Macron tani i ka duart e lira të realizojë reformat e premtuara para zgjedhjeve dhe, që këtë muaj, qeveria e tij synon të nisë procedurën e miratimit të ligjeve për të drejtën e punësimit.

Top Channel