
Kompania greke e kontraktuar nga KQZ për të prodhuar fletët e votimit për zgjedhjet e 25 qershorit tashmë e ka përfunduar punën e saj.
Mbi 3 milionë e 600 mijë fletë votimi kanë mbërritur në rezervat e shtetit, në magazinat e KQZ, atje ku do të qëndrojnë deri javën e ardhshme, të paktën deri më 20 qershor, kur do të nisë shpërndarja e fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore në Komisonet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në qarqet më të largëta.
Konkretisht, më datë 20 do të nisë shpërndarja e fletëve dhe dorëzimi i tyre pranë KZAZ në qarqet Kukës, Dibër, Gjirokastër dhe Vlorë për të vijuar më pas me ditët e tjera dhe qarqet më të afërta. Duket se gjithçka është gati, të paktën teknikisht nga KQZ për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 25 qershorit.
Fletët janë të ndarë në paleta, sipas qarqeve dhe KZAZ. Procedura do të jetë e njëjtë për çdo kuti me fletë votimi.
“Marrim kutinë e fletëve të votimit, shikojmë që është KZAZ nr.46, qendra e votimit 2523, Qarku Elbasan. Marrim kutinë, që kanë mbaruar gjithë procesin e tyre, i marrim dhe i verifikojmë edhe një herë tjetër. Përpara se ajo të mbyllet përfundimisht. Marrim fletët e votimit i fusim brenda në kuti. Pastaj fillon procesi i mbylljes përfundimtare të kutisë”, sqaron Gojart Çela, specialist ligjistike në KQZ.
Kreu i KQZ ndoqi nga afër këtë proces, për t’u dhënë dorën e fundit materialeve zgjedhore për 25 qershor.
“Në 3.6 milionë fletë votimi, bëhet fjalë edhe për 63 mijë fletë votimi plus për zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës. Është një lloj qetësie për KQZ”, thotë kreu i KQZ-së, Klement Zguri.
Por kompania greke “Inform Lykos” nuk ka prodhuar vetëm fletët e zakonshme të votimit.
“Janë prodhuar edhe 5362 maska që i përkasin alfabetit ‘Braille’ për të verbërit. Pra ka qenë një vëmendje e jona për t’u mundësuar atyre që të votojnë vetë, pa pasur nevojën e njerëzve të tjerë për t’i ndihmuar”, sqaron Zguri.
Fleta e votimit për 25 qershorit nuk është letër e zakonshme, por e plotësuar me të gjithë elementët e nevojshme të sigurisë.
“Sistemi zgjedhor në Shqipëri kërkon një vëmëndje të madhe për shkak të mungesës së besimit që kanë palët në proces. Fletët e votimit bëhen thuajse me element sigurie që u afrohen prodhimit të lekëve. Është një letër ekstra që realizohet fleta e votimit. Ka edhe elemente sigurie që i bën kompania përmes një dokumentacioni që më pas depozitohet tek noterët”, shton kreu i KQZ-së.
Top Channel