Prej kësaj të shtune, ligji i vettingut nuk duket se ka më ndonjë pengesë politike për të nisur zbatimin për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar dhe me lidhje kriminale.

Kjo u bë e mundur pasi Komisioni Parlamentar votoi për 12 anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, 2 komisionerët publikë, si dhe nga dy zëvenndësues.

Personat që do të bëjnë në shkallë të parë vettingun e njerëzve të drjetësisë, nuk janë profile të njohura publike, por njëri prej zëvendësueve, Pal Shkëmbi, nuk është aq i panjohur në rrethet politike.

Si kryetar i një partie me orientim kristian-demokrat, mbeten të paqarta rrethanat e kualifikimit të Pal Shkëmbit, përsa kohë ai nuk përmbush një prej kritereve kyçe; të mos ketë patur pozicion drejtues në ndonjë forcë politike 10 vitet e fundit.

Megjithatë, kjo nuk e pengon Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të nisë nga puna pa vonesë, sapo të marrë miratimin nga Parlamenti.

Sipas procedurës ligjore, Parlamenti duhet të votojë në bllok listën me 27 emra, ku përfshihen edhe anëtarët e Kolegjit të Apelimit me zëvendësuesit e tyre, të cilët u votuan në komision pak ditë më parë.

Për të përfunduar procedurën e votimit në komision të ngritjes së organeve të vettingut, deputetët lanë fushatën elektorale, por tonet shumë të larta dhe kërcënuese, veçanërisht mes LSI-së dhe socialistëve, nuk u reflektuan tek deputetët e tyre.

Top Channel