
Të paktën 25 zjarre janë regjistruar gjatë sezonit të verës vitin e kaluar në zonat periferike të kryeqytetit.
“Kemi thirrur në takim drejtuesit e njësive administrative Pezë, Vaqarr, Ndroq, Dajt, Kashar, Petrelë dhe Farkë, pasi këto janë zonat ku paraqitet rrezikshmëri nga zjarret në pyje”, deklaron Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Shërbimit Zjarrëfikës në Tiranë.
Në disa raste është dashur edhe ndërhyrja e ushtrisë. Por forcat zjarrfikse kërkojë ngritjen e një strukture nga njësitë administative.
“Kërkojmë krijimin e forcave vullnetare në këto njësi administrative, pasi nëse në këto zona vërehet një situatë zjarri në zonat pyjore. Këta vullnetarë na ndihmojnë shumë pasi janë të parët që duhet të ndërhyjnë, derisa të vijnë zjarrfikësit nga qyteti i Tiranës”, thotë Goxhaj.
Por kush janë shkaqet e zjarreve në pyjet e kryeqytetit?
“Zjarret në territorin e Bashkisë Tiranë në shumicën e rasteve janë të qëllimshme, zakonisht për të hapur toka. Ne do bëjmë ekspertizat tona dhe nëse vërejmë që zjarret janë të qëllimshme do lajmërojmë Policinë e Shtetit, të cilës do t’i kërkojmë që t’i vërë personat përgjegjës përpara drejtësisë. Gjithashtu janë edhe zjarret nga pakujdesia, nga njerëzit që djegin mbeturina apo për të pastruar tokën”, shton Goxhaj.
Top Channel