
Niveli i kriminaliteit në vend ka rënë në tremujorin e parë, sipas Institutit të Statistikave, me 3.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithësej janë regjistruar rreth 7.500 vepra penale me mbi 7 mijë e 800 autorë. Në totalin e veprave penale, pjesën më të madhe e zënë krimet kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike me 39.4 %, krimet kundër autoritetit shtetëror me 35.8% dhe krimet kundër personit me 20.3%.
Këto të fundit janë rritur kundrejt periudhës janar-mars 2016, por brenda këtij grupi, duke krahasuar tremujorët të bie në sy rënia e numrit të vrasjeve nga 20 në 8.
Plagosjet janë pak a shumë në të njëjtin nivel, kurse krimet seksuale janë rritur nga 16 në 29. Ndërkohë janë evidnetuar 3 akte terrorriste me 3 autorë, ndërkohë që tremujorin e parë të 2016-s u regjistrua vetëm një akt terrorist.
214 vepra penale janë kryer nga banda të armatosura dhe organizata kriminale nga 277 që ishin në janar-marsin e 2016-s. Krimet kundër pasurisë dhe ato ekonomike kanë pësuar ulje me 9.8%, kruse krimet kundër autoritetit të shtetit u rritën me 2.7%.
Statistikat e krimeve pasqyrojnë të dhëna mbi veprat penale të evidentuara dhe personat e dyshuar në kryerjen e një krimi, jo në gjykime të cilat janë kompetencë e organeve të drejtësisë.
Të dhënat i referohen artikujve të Kodit Penal dhe jo ngjarjes, pasi në një ngjarje mund të gjendet më shumë se një veper penale.
Top Channel