Top Story, kërcënimi i “Balenës blu”

13/06/2017 00:00

Një lojë elektronike, e quajtur “Balena blu” është përhapur si një virus dhe i ka kushtuar jetën shumë fëmijëve dhe adoleshentëve në Rusi. Rasti i të miturës në Gjirokastër ka bërë që në “Top Story” të harrohet fushata për një ditë dhe të flitet pikërisht për “Balenën blu”.

Artan Dashi, specialist për krimin kibernetik, u shpreh: “Unë them që personat që e kanë krijuar, e pakta janë pedofilë dhe e shumta janë kriminelë. Ai që e ka bërë këtë lojë ka vuajtur vetë në fëmijëri, ka afruar njerëz dhe ka përhapur lojën në internet. Për fat të keq, rasti i Gjirokastrës vërteton se as ne nuk jemi imunë ndaj këtyre ngjarjeve”.

Specialisti shtoi se, “interneti është pa kufi dhe njerëz të mbrapshtë do të ketë në çdo kohë. Ne duhet të kemi psikologë nëpër shkolla, që për mua është hallkë kryesore. Për mendimin tim, këtu çalojmë paksa”.

Dashi përjashtoi se “Balena blu” ka bashkëpunëtorë në Shqipëri.

Ndërsa psikologia Ariana Muça, deklaroi se kuratorët e lojës kanë zgjedhur një grupmoshë 9-17 vjeç, atëherë kur individi krijon identitetin. Ajo tregon se si një prind duhet të kuptojë rrezikun që i kanoset fëmijës.

“Një prind i vëmendshëm arrin ta dallojë fëmijën kur ndryshon emocionalisht. Vihen re disa ndryshime: ka shenja të dallueshme fizike si gërvishtje, shkëput marrëdhëniet sociale dhe mbyllet në vetvete. Kur shihen këto ndryshime, prindi duhet të nisë të shqetësohet. Nëse është vetë i mbyllur si fëmijë, duhet të shohë a e respekton orarin e gjumit, a ushqehet normalisht e të tjera si këto”, shpjegon Muça.

Ndërkohë, psikologia Matilda Beqiri tha: “Situata është delikate. Mirë është që gazetarët të jenë të ekuilibruar në informacionin që përcjellin, pasi do të ketë gjithmonë adoleshentë kuriozë për të provuar diçka të re”.

Gazetari i Top Channel, Aleksandër Marku tha se nga kjo lojë “preken më shumë fëmijët që merren më shumë me rrjetet sociale dhe që nuk janë shumë të shoqërueshëm”.

“Duhet t’i japim vëmendje të veçantë informimit. Në Greqi është mobilizuar totalisht shteti dhe shkollat pas zbulimit të rasteve të para”, deklaroi Marku.

Top Channel