
Përgjigjja për kërcënimin presidencial, Ilir Metës i ka ardhur nga socialisti Taulant Balla.
“Ilir, të kemi dhënë votën për t’u bërë president! Por edhe kjo që po bën si President i zgjedhur nuk shkon, sepse po teprohet. Je president i zgjedhur edhe me votat tona, ose na kthe votën dhe bëj çfarë të duash me ish-partinë apo partinë tënde! Jo vetëm s’mund të kërcënosh askënd, dhe ne socialistët jo e jo, po s’mundet as të na fusësh në një luftë politike demode për interesat e LSI-së”, shkruan Taulant Balla.
Balla i kujton ish-kreut të LSI-së se ishin ata që e bënë president, me besimin për të qenë figura mbi palët që i duhet vendit, e jo për të pasur një rol përçarës.
“Partia Socialiste është në të drejtën e saj legjitime të kërkojë votën, për t’i dhënë fund parcelizimit të administratës shtetërore nga partitë. Nëse LSI-ja nuk bashkohet dot me ne, për këtë qëllim të madh në rrugën për të bërë shtet, kjo është puna e saj. Ne s’jemi LSI-ja, por jemi forca më e madhe politike shqiptare dhe detyra jonë është të bëjmë shtet. Duan apo s’duan partitë e vogla”, vijon më tej Taulant Balla.
Socialisti Balla flet për ato që i quan “shantazhe alla Gruevski”, të cilat i quan jo vetëm antidemokratike, por edhe të papranueshme për një President të zgjedhur të Shqipërisë.
Ashtu siç janë të papranueshme edhe sharjet e akuzat lumë për Edi Ramën, e për marrëveshjen që ai bëri me Lulzim Bashën në interes të Shqipërisë, të cilën edhe Presidenti i zgjedhur e përshëndeti.
Deputeti socialist thotë se, vetëm Ilir Metës, edhe si mik i Saliut, s’i takon të flasë për errësira dhe për transparencë.
“Boll më se u trash fare kjo punë me çorodinë tuaj dhe na lini ne të bëjmë fushatën tonë, edhe LSI fushatën e vet. Ne s’kemi asnjë dëshirë të merremi me ish-partinë apo partinë tuaj. Nuk kemi asnjë interes dhe dëshirë të hyjmë në këtë duel absurd, ku doni të na fusni me zor. Ne e kemi të qartë drejtimin tonë. Duam të flasim me popullin për drejtesinë, ekonominë, punësimin dhe gjithçka u intereson njerëzve”, përmbyll deklaratën e tij Balla.
Top Channel