Tenton të hyjë me forcë në ministri, MD rikonfirmon pezullimin

12/06/2017 00:00

Ministria e Drejtësisë ka rikonfirmuar këtë të hënë pezullimin e sekretarit të përgjithshëm të saj. Reagimi i MD ka ardhur pas një perpjekjeje të zyrtarit të pezulluar për të hyrë me forcë në ambjentet e dikasterit.

“Urdhëri i ministrit të Drejtësisë, me anë të të cilit është urdhëruar pezullimi nga detyra i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë është në fuqi. Asnjë institucion tjetër shtetëror, përfshirë Departamentin e Administratës Publike apo Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil nuk ka cenuar vlefshmërinë e aktit të pezullimit të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, për shkak se autoritetin kushtetues për ta bërë këtë e ka vetëm sistemi gjyqësor në vend. Çdo pretendim tjetër në këtë drejtim është manipulim i opinionit publik dhe tregues i qartë i mungesës së njohurive minimale juridike”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Sipas ministrisë, ditën e sotme zyrtari i pezulluar ka tentuar këtë të hënë të hyjë në mënyrë të paligjshme dhe me forcë, një akt sipas saj që është “vijim i akteve të paligjshme të ndërmarra gjatë kësaj kohe, si dhe vazhdim i përpjekjeve për të penguar institucionin e Ministrisë së Drejtësisë që të zbatojë ligjin”.

Top Channel