Ministrja e Arsimit Mirela Karabina ka paditur në prokurori Sekretarin e Përgjithshëm, Plarent Ndreca si dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij nga detyra.
Ministrja teknike e akuzon Ndrecën për shkelje të rënda ligjore jashtë kompetencave të funksionit të tij, duke cënuar veprimtarinë e ministrisë gjatë procesit të Maturës Shteterore 2017.
Por duke kaluar tanimë kufijtë e një konflikti të brendshëm, zoti Ndreca ka kërkuar të nisë një hetim administrativ ndaj ministres, pasi numëron 12 shkelje ligjore.
“Ka bërë emërime të këshilltarëve në mënyrë të paligjshme. Ka emëruar 5 këshilltarë nga 4 që i njeh ligji. Ka emëruar një këshilltar part time në kundërshtim me ligjin. Ka emëruar këshilltarë pa dorëzuar asnjëlloj dokumenti dhe që nuk kanë dorëzuar deklaratën e dekriminalizimit”, thotë Ndreca.
Sekretari i Përgjithshëm Ndreca akuzon ministren teknike për shkatërrim të dokumenteve, që janë pronë e Ministrisë së Arsimit.
“Shkatërron dokumente të brendshme të administruara nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm duke i grisur ato në mënyrë demostrative, ndërkohë që janë pronë e institucionit”, thotë ai.
Për 5 emrat e nëpunësve civilë në arsim, të cilët ministrja teknike i ka paditur në prokurori, sipas Ndrecës nuk disponon asnjë provë dhe këta persona vijojnë të jenë në punë pasi nuk është ngritur grupi disiplinor për shkarkimin e tyre.
Top Channel