Cuku u vra për gjakmarrje. Akuza për autorin e vrasjes së ish-policit

12/06/2017 00:00

I dyshuari si vrasës me pagesë, Mikel Shallari do të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për akuzën e ekzekutimit të ish-zyrtarit të policisë, Artan Cuku, sipas nenit 78/A, që parashikon vrasjen e kryer në bashkëpunim, për interes për hakmarrje apo gjakmarrje dhe që dënohet nga 25 vjet deri në burg të përjetshëm.

Emri i tij u është përcjellë pikave kufitare prej datës 9 qershor, në të njëjtën ditë kur në sistemin Tims është shpërndarë njoftimi në kufi edhe për shtetasin Bujar Daka, 35 vjeç, i dyshuar si porositësi i vrasjes së Cukut.

Bujar Daka u dyshua menjëherë pas krimit përderisa rezulton se vite më parë, Agim Daka u vetëvra në zyrën e ish-shefit të Komisariatit 4, Artan Cuku, gjatë kohës që po pyetej për adresën e të vëllait.

Rezulton, thonë burimet, se Bujar Daka është deportuar nga autoritetet zvicerane në vitin 2015, pasi ka mbyllur dënimin për çështje droge në këtë shtet.

Por të dhënat tregojnë se edhe Mikel Shallari ka qenë i dënuar me 3 vjet burg, po për çështje droge, në të njëjtin burg ku mbahej Bujar Daka.

Ai është kthyer në Shqipëri një vit më parë dhe gjatë kësaj kohe nuk është angazhuar në punë. Edhe vëllai tjetër i Bujar Dakës, Florian Daka, i njohur me emrin e dytë Angjelin, rezulton të ketë probleme me ligjin jashtë Shqipërisë, pasi më 2012-ën, ai është dorëzuar në Portin e Durrësit nga autoritetet italiane.

Të martën në orën 10:00 pritet që të shqyrtohet masa e sigurisë për Shallarin, ndërkohë që burime të sigurta i thanë Top Channel, që përveç pistës së gjakmarrjes, vazhdojnë të jenë të ngritura edhe dy pista të tjera, që kanë lidhje me detyrën që Cuku ka ushtruar në krye të policisë së Vlorës.

Top Channel