
Në Burrel, pjesë e Qarkut të Dibrës, Lulzim Basha u takua me tregtarë në dyqanet dhe vendet e tyre të shitjes, për t’u sqaruar pjesën e planit të tij ekonomik, që synon eliminimin e presionit dhe abuzimit shtetëror ndaj biznesit nëpërmjet tatimorëve.
“Qëllimi nuk do të jenë taksat dhe terrori, qëllimi do të jetë punësimi. Pullën këtu, u gjet tatimor lokal apo qendror përtej pullës, atëherë prangat, sepse do të thotë është vetëm për korrupsion. Nuk do të ketë më tatimorë rrugëve. Rrugëve duhen konsumatorë, duhen punëtorë, fermerë, tregtarë, sipërmarrës. Tatimorët, të gjithë në kazermë”, deklaroi Basha.
Kjo masë shoqërohet edhe me uljen e taksave për biznesin e vogël.
“1.5% e xhiros, kombinim i të gjitha detyrimeve ndaj shtetit, lokal dhe qendror, maksimumi, tavani. Ulje taksash, subvencione për fermerët, rritje të konsumit që do të thotë rritje e kërkesës në treg, rritje e prodhimit, rritje e kreditimit. Paratë e shtetit nuk do të hidhen më për investime kot, për palma, do të hidhen për investime që ndihmojnë ekonominë”, tha më tej Basha.
Basha ftoi qytetarët e Burrelit të mbështesin planin e tij, për një ekonomi të fortë me taksa të ulëta dhe rritje të punësimit.
“Votoni numrin 6”, u shpreh Basha.
Në Burrel, Lulzim Basha u takua rastësisht në një lokal me kryetarin socialist të zonës. Dhe, megjithëse mes tyre reflektohej efekti i marrëveshjes së 18 majit, secili ka kërkuar fitoren maksimale në Qarkun e Dibrës me 6 deputetë.
Top Channel