Tingujt e muzikës “Jazz” dhe kërcimet salsa pushtuan rrugën “Andon Zako Çajupi” në kryeqyet gjatë fundjavës, në edicionin e 6 të Festivalit të Muzikës Moderne shqiptare.

Bazuar mbi idenë e organizatorit Eugjen Gargjola, festivali synon ta kthejë në traditë, si në vende të tjera në botë, muzikën në qiell të hapur.

“Në atë vendin që quhej rr. ‘Andon Zako Çajupi’, ne menduam ta bëjmë një traditë të re, një rrugë ‘Jazz’-i. Kjo ka qenë ideja. Shumë njerëz u afruan. Ishte një atmosferë shumë e bukur, e mendoj se qëllimi dhe ideja për ta bërë këtë rrugë ndryshe u realizuan. ‘Jazz’-i, këto merita ka”, tha Sokol Seido, saksofonist.

Muzikë “Jazz”, kombinuar me elemente vendase nga jugu e veriu, ky është kombinimi i duhur për t’u pëlqyer në publikun shqiptar.

“Muzikantët e ‘Jazz’-it e kanë kuptuar sekretin e kësaj gjëje, që është jo aq e kultivuar, por veshi është vrarë. Atëherë si i bëhet që të gjejmë një mjedis që edhe të kënaqim njerëzit? Për këtë kemi futur pak etnik. ‘Etnik Jazz’ është ajo rrymë që merr përveç kulturës që ofron vet ‘Jazz’-i, edhe folkun ballkanik, secili të vetin, ne fusim temat tona. Kjo e pasuron, e bën më të larmishëm te njerëzit”, tha më tej Seido.

Bateristi i bandës së Adriano Celentanos, si dhe tromba e parë e “Pavarotti and friends” janë vetëm dy nga instrumentistët e shumtë, të cilët sonte do të udhëtojnë drejt Vlorës, në mbrëmjen e fundit të saj në qytetin bregdetar.

Top Channel