
LSI ka marrë pjesë në tre zgjedhje parlamentare. Në dy prej këtyre proceseve zgjedhore ka dalë si forcë e vetme dhe në njërën prej tyre në koalicion me Partinë Socialiste.
Analisti Eduard Zaloshnja analizoi në Top Story rezultatet e kësaj force politike në zgjedhjet e 2005, ato të 2009 dhe të 2013.
Në 2005, tha ai, me një kod tjetër zgjedhor, LSI hyri në zgjedhje dhe kishte një “marrëveshje në heshtje” me Berishën për të larguar Nanon.
Në fund të atij procesi, LSI mori 10.5 përqind të votave, ndërsa sa i takon 2009, Zaloshnja thotë se kjo forcë politike u reduktua.
“Me sistemin e ndryshuar në 2009, mori 4.5 përqind të votave dhe u rikthye sërish tek 10.5 përqindëshi në koalicion me Partinë Socialiste në vitin 2013. Kjo tregon se kur LSI ka një aleancë të hapur, ose të fshehur me një nga partitë e mëdha, kap 10.5 përqind dhe kur dy partitë e mëdha kanë një marrëveshje për të rrudhur LSI-në, kanë arritur ta çojnë deri në 4.5 përqind”, thotë ai.
Duke e krahasuar me tre rastet e mëparshme, Zaloshnja për 25 qershorin sheh më shumë përsëritjen e skenarit të 2009 për LSI-në.
“Është situatë e ngjashme me 2009. I vetmi faktor ndryshe në këto zgjedhje është faktori PDIU”, tha ai.
Top Channel